Numërimi mbrapsht ka filluar! Tashmë gjithçka është gati për startin e madh të fenomenit televiziv që mban mbërthyer shqiptarët. Burime pranë produksionit konfirmojnë se Kiara Tito do të jetë zyrtarisht prezantuesja e re e “Big Brother Fan Club”, duke shënuar një rikthim të bujshëm në formatin që i ndryshoi jetën.
Për Kiarën, ky pozicion vjen si një kurorëzim i natyrshëm i një rrugëtimi televiziv mbresëlënës. Pas eksperiencës së saj brenda shtëpisë së famshme – ku ajo spikati si një nga banoret më të pëlqyera, më të dashura dhe më protagoniste – karriera e saj njohu vetëm ngjitje. Ajo periudhë, e cila shënoi një kthesë rrënjësore në jetën e saj, ia rihapi dyert e mëdha të televizionit.
Menjëherë pas daljes, Kiara u besua me drejtimin e “Dancing With The Stars Fan Club”, dhe më pas bëri hapin e madh drejt “Prime Time”. Ajo aktualisht shkëlqen çdo javë si prezantuese e spektaklit të humorit “Portokalli”, një rol që vazhdon ta mbajë me sukses, duke u konfirmuar si një nga figurat më të rëndësishme të Top Channel.
Fansat nuk do të presin më gjatë. Dritat e shtëpisë më të famshme në Shqipëri do të ndizen me datë 20 Dhjetor. Spektakli “Big Brother VIP Albania 5” premton të nisë fuqishëm që në natën e parë, me një kast personazhesh që pritet të bëjnë zhurmë.
Ndërkohë, analiza e lojës, debateve dhe dinamikave nën drejtimin e Kiarës do të nisë pak më vonë. Emisioni “Big Brother Fan Club” do të startojë transmetimin një javë pas nisjes së spektaklit, për të komentuar gjithçka që do të ketë ndodhur gjatë 7 ditëve të para të bashkëjetesës.
Me Kiarën në timon dhe një sezon që nis prag festash, ky edicion i pestë pritet të jetë zjarrtë. /Prive By Liberta Spahiu


Leave a Reply