Pas ndarjes së papritur nga jeta të këngëtarit të njohur, Shpat Kasapi, ka reaguar edhe ekipi i tij menaxherial.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të këngëtarit në Instagram, menaxhmenti ka shprehur dhimbjen e madhe dhe ka njoftuar publikun se do të japë detaje rreth ceremonisë së varrimit shumë shpejt.
Në mesazhin e shkurtër dhe të ndjerë, shkruhet:
“Të nderuar miq, familjarë, media dhe publik i dashur i Shpatit, Humbja e Shpatit është një goditje e rëndë dhe një dhimbje e madhe për të gjithë ne. Ju njoftojmë se së shpejti do t’ju informojmë me detaje të plota rreth procedurave të varrimit. Me respekt, Menaxhmenti i Shpatit.”
Lidhur me këtë rast të rëndë ka reaguar edhe vëllai i këngëtarit, Albini.
Ai ka deklaruar se ndihma e parë mjekësore i është dhënë në banesë, por ai nuk ka arritur të mbijetojë.
Sipas tij, deri tani dyshohet se shkak i vdekjes është bërë një arrest kardiak.
I tronditur dhe i shokuar nga lajmi, Albini tha se po shpresonin që informacioni që u erdhi nga Italia të mos ishte i vërtetë, por për fat të keq vdekja e tij u konfirmua.
I pyetur nëse më parë këngëtari ka pasur probleme shëndetësore, ai u shpreh se Shpati kishte pasur disa shqetësime të vogla në zemër, por jo diçka serioze.
Trupi i tij ndodhet ende në Itali, ndërsa pritet që në vijim të kryhen procedurat për ta sjellë pranë familjarëve. /Prive By Liberta Spahiu


Leave a Reply