Mbrëmja e sotme shënon nisjen e reality-show-t më të ndjekur në vend, “Big Brother VIP Kosova 4”.
Siç konfirmohet edhe nga postimet e tyre të fundit në rrjetet sociale, moderatorët e formatit, Alaudin Hamiti dhe Jonida Vokshi, janë shfaqur plot emocion dhe stil, duke konfirmuar se gjithçka është gati për nisjen e spektaklit.
Moderatorja Jonida Vokshi, e cila shihet në një veshje elegante dhe me aksesorë shkëlqyes, shprehu emocionet e saj të mëdha pak orë para fillimit të drejtpërdrejtë. Në përshkrimin e fotos së saj, ajo shkruan: “Me shumë emocion, pres të nis këtë rrugëtim bashkë me ju sonte, Shihemi ne 21.00 me sigurin absolute që pritja ja ka vlejt”.
Edhe Alaudin Hamiti, i cili drejton programin për herë të katërt, ka konfirmuar gatishmërinë. Në një foto ku shfaqet me një kostum velvet, brenda dekorit vezullues të “BBVK”, ai shënon:
“Sonte ndizet dritat në shtëpinë më të famshme në vend. BBVK rikthehet, si gjithmonë, me një bagazh emocionesh, debatesh dhe historish njerëzore, fundja, kjo është arsyeja pse ky format është ndër më të ndjekurit ndonjëherë.
Në këtë fillim të ri, uroj që gjithçka të shkojë mbarë dhe ju ftoj me gjithë zemër ta shijoni këtë eksperiencë televizive, ta merrni si një arratisje të vogël nga rutina e përditshme, në një kohë kur, fatkeqësisht, shpesh jemi përballur vetëm me lajme të rënda. Le të jetë ky “Big” një copëz argëtimi dhe lehtësimi për të gjithë ne dhe për ju që na ndiqni”.

Leave a Reply