Në kuadër të përgatitjeve për nisjen e sezonit të ri të Big Brother VIP Kosova, moderatori dhe autori Alaudin Hamiti dhe producentja Olsa Muhameti po qëndrojnë në Romë për një vizitë bashkëpunimi me ekipin e Grande Fratello-s italian.
Në prag të “Prime Live”, dyshja është parë në ambientet e prezantueses ikonike italiane, Simona Ventura, e cila këtë vit ka marrë drejtimin e edicionit të ri të formatit në Itali. Siç ka shkruar edhe Olsa në postimin e saj: “Pak para nisjes së Prime Live, ishim në ambientin e prezantueses ikonike italiane Simona Ventura, ku biseduam për shumëçka.”
Takimi i zhvilluar në një atmosferë miqësore shërbeu për të ndarë përvoja, ide dhe vizione mbi zhvillimin e mëtejshëm të formatit që ka bërë histori në të dy vendet.
Nga ajo që mësohet, Hamiti dhe Muhameti kanë diskutuar me ekipin italian për detaje rreth përgatitjeve të Big Brother VIP Kosova 4, i cili pritet të nisë në nëntor dhe po konsiderohet si edicioni më ambicioz deri tani.
Ky takim vjen si pjesë e shkëmbimeve profesionale mes produksioneve të dy vendeve, duke e vendosur Big Brother VIP Kosovën krah standardeve ndërkombëtare të spektaklit televiziv. /Prive By Liberta Spahiu

Leave a Reply