
Egli Tako ka rrëfyer për ish-lidhjen disa-vjeçare me Olsi Bylykun. E ftuar në emisionin “The Dalina Show”, ajo ndau një reflektim të hapur mbi përvojën e saj në atë raport dhe ndikimin që pati në karrierën personale.
Egli tregoi se, në atë kohë, për shkak të moshës dhe eksperiencës më të vogël, vendosi shpesh të qëndronte në hije për të mbështetur partnerin e saj.
“Kur je më e re dhe në krah të dikujt që ka bërë hapa të mëdhenj, e ndjen se njëri duhet të bëjë një hap pas. Nuk është se ishte konkurrencë, por shpesh mundohesha të lija veten mënjanë dhe ta mbështesja atë në gjërat e tij. Të paktën kështu ndodhi tek unë. Nuk e di sa është kuptuar ose vlerësuar kjo,” u shpreh këngëtarja.
“Është shumë gabim të mos mendosh për veten, sepse koha ikën dhe asgjë nuk vlen më shumë se qëllimet e tua në jetë. Zoti të ka dhënë një talent, dhe është gjynah të mos e vësh në praktikë,” tha ajo.
Megjithatë, ajo nënvizoi se nuk është penduar për zgjedhjet e bëra në atë kohë.
Sipas saj, edhe Olsi, me mundësitë që kishte, u përpoq ta mbështeste në mënyrën e vet, qoftë duke e bërë pjesë të ndonjë kënge, emisioni apo aktiviteti në prapaskenë.
“Pishman nuk jam, sepse gjithçka ishte pjesë e asaj etape dhe e përpjekjes që bëmë së bashku,” u shpreh Egli.
Leave a Reply